Skip to content

Rreth Nesh

DEV-AID – Krijojmë mundësi. Fuqizojmë njerëz. Ndërtojmë të ardhmen.
E themeluar në vitin 2013, DEV-AID është një organizatë jofitimprurëse që punon për fuqizimin e individëve dhe komuniteteve, krijimin e mundësive të barabarta dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
Përmes programeve të edukimit, formimit profesional, punësimit, përfshirjes sociale dhe mbrojtjes së mjedisit, ne ndërtojmë partneritete dhe zhvillojmë nisma që sjellin ndryshime pozitive në jetën e njerëzve.

Krijojmë mundësi. Fuqizojmë njerëz. Ndërtojmë të ardhmen

DEV-AID është një organizatë jofitimprurëse, e pavarur, jopolitike dhe jofetare, e themeluar më 1 tetor 2013, me besimin se çdo individ meriton mundësi të barabarta për të zhvilluar potencialin e tij dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë.

E krijuar nga iniciativa e një grupi profesionistësh me përvojë të gjatë në mbështetjen e grupeve të margjinalizuara, organizata nisi veprimtarinë e saj me një angazhim të qartë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore, përfshirjen sociale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve në nevojë.

Gjatë më shumë se një dekade veprimtari, DEV-AID ka zgjeruar vazhdimisht fushat e ndërhyrjes dhe shtrirjen e saj, duke u zhvilluar në një organizatë që kontribuon në fuqizimin social dhe ekonomik, edukimin, punësimin, zhvillimin e komuniteteve dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

Një rrugëtim i ndërtuar mbi përvojën dhe bashkëpunimin
Që në vitet e para, DEV-AID ka ndërthurur nismat humanitare dhe komunitare me programe zhvillimore që synojnë krijimin e mundësive afatgjata për individët dhe familjet.
Një nga drejtimet kryesore të punës sonë ka qenë dhe mbetet fuqizimi ekonomik përmes arsimit dhe formimit profesional, zhvillimit të aftësive dhe mbështetjes për integrimin në tregun formal të punës, veçanërisht të personave që përballen me pengesa sociale dhe ekonomike.
Përmes programit shumëvjeçar “Të bëjmë tregun e punës të funksionojë për grupet në nevojë”, të nisur në vitin 2014 dhe të zhvilluar në faza të njëpasnjëshme, DEV-AID ka kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërmjet formimit profesional publik, nevojave të tregut të punës dhe komunitetit të biznesit.

Përmes programit shumëvjeçar “Të bëjmë tregun e punës të funksionojë për grupet në nevojë”, të nisur në vitin 2014 dhe të zhvilluar në faza të njëpasnjëshme, DEV-AID ka kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërmjet formimit profesional publik, nevojave të tregut të punës dhe komunitetit të biznesit.

Bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), qendrat publike të formimit profesional në qytete të ndryshme të Shqipërisë, institucionet publike dhe sektorin privat ka mbështetur zhvillimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e ofertës së formimit profesional dhe krijimin e mundësive për praktikë profesionale dhe punësim.
Për DEV-AID, bashkëpunimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm. Përgjatë veprimtarisë sonë kemi ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi me institucione publike, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, qendra të formimit profesional, biznese dhe aktorë të shoqërisë civile.
Përmes dialogut, shkëmbimit të përvojave dhe iniciativave të përbashkëta, synojmë të bashkojmë njohuritë, burimet dhe kapacitetet për të krijuar mundësi më të mira për individët dhe komunitetet.

Edukimi dhe mjedisi – investim për brezat e ardhshëm

Duke njohur rëndësinë e edukimit në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme, DEV-AID ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike.

Përmes programit “Shkolla ime Miqësore me Klimën dhe Mjedisin”, organizata ka zhvilluar një model edukimi që ndërthur njohuritë me veprimin praktik, duke përfshirë nxënësit, mësuesit, familjet dhe komunitetet në nisma për mbrojtjen e natyrës, riciklimin, krijimin e hapësirave të gjelbra dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve.

I nisur në shkollat e Njësisë Administrative Kashar dhe i zgjeruar më tej në Bashkinë Kamëz, ky program synon t’i shndërrojë shkollat në qendra të edukimit dhe veprimit mjedisor, ku fëmijët nuk janë vetëm përfitues të njohurive, por edhe nismëtarë të ndryshimit.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit, strukturat vendore arsimore, shkollat dhe autoritetet lokale përbën një element të rëndësishëm për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e nismave tona.

Partneritete që krijojnë mundësi

Ne besojmë se ndryshimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet në mënyrë të izoluar.

Për këtë arsye, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, DEV-AID ka investuar në ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucione qendrore dhe vendore, organizata të shoqërisë civile, institucione arsimore, komunitetin e biznesit dhe partnerë ndërkombëtarë.

Mbështetja dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Bread for the World – Germany, si dhe partneritetet me institucione dhe aktorë të ndryshëm në Shqipëri, kanë kontribuar në vazhdimësinë e programeve tona dhe zgjerimin e ndikimit të tyre.

Këto partneritete janë një pjesë thelbësore e mënyrës sonë të punës: bashkimi i përvojave, burimeve dhe përgjegjësive për të krijuar zgjidhje që u përgjigjen nevojave reale të njerëzve dhe komuniteteve.

 

Angazhimi ynë sot

Sot, DEV-AID vazhdon të punojë për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më të barabartë dhe më të qëndrueshme, duke vendosur në qendër të çdo nisme dinjitetin njerëzor, fuqizimin individual dhe përgjegjësinë e përbashkët.

Ne synojmë të krijojmë mundësi që zgjasin përtej një projekti, të zhvillojmë aftësi që hapin rrugë të reja dhe të ndërtojmë partneritete që sjellin ndryshim të prekshëm.

Sepse për DEV-AID, zhvillimi nuk matet vetëm me atë që realizojmë sot, por edhe me mundësitë që krijojmë për të nesërmen.